Mihail Lermontov
Mihail Jur'eviç Lermontov (rusisht Михаил Юрьевич Лермонтов; l. Moskë, 15 tetor 1814 - v. Pjatigorsk, 27 korrik 1841) ishte një poet, dramaturg dhe piktor rus.
Figurë që spikat në romanticizëm, konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të XIX. Ushtarak në karrierë, gjatë jetës së tij të shkurtër publikoi vetëm një vëllim me poezi, vargje dhe kryeveprën në prozë "Një Hero i Kohës Sonë" (Geroj našego vremeni) (1840) ndërsa vepra e cila më shumë do të lartësohej në '800-ën, qe "Demoni", e publikuar pas vdekjes.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lermontov-i ishte nga një familje me prejardhje spanjolle (e natyralizuar skoceze) dhe mbeti jetim nga e ëma (Marija Michajlovna) në moshën tre vjeç, në 1817, dhe rritet nën kujdesin e gjyshes - nga e ëma - Elizaveta Alekseevna Arsen'eva në Tarhan ku kishte pronat e saj. I ati ishte i varfër, kurse e ëma rridhte nga një familje aristokrate ruse. Ata ishin martuar pa pëlqimin e prindërve të saj, kështu që midis dy familjeve vazhdoi një grindje dhe urrejtje kundrejt njëra - tjetrës. Këto grindje të njëpasnjëshme bën që Lermontovi të ishte që në fëmijëri i mbyllur në vetvete dhe nuk i pëlqente të shoqërohej me të tjerët. Gjyshja tregoi kujdes të madh për edukatën e të nipit. Që në vogëli i mësoi frëngjishten, gjermanishten dhe anglishten dhe i shtiu dashuri për muzikën e për vizatimin. Më 1818 udhëtoi në Kaukaz, në Pjatigorsk, ku u rikthye shpesh, në vitet 1820 dhe 1825.
Ende adoleshent jepet pas letërsisë duke lexuar i paepur Bajronin dhe nis të shkruaj poezitë e para vetëm pesëmbëdhjetë vjeç.Më 1827 Lermontov-i shkoi në Moskë dhe hyri në Kolegjin e Fisnikëve,që ishte një shkollë përgatitore pranë universitetit. Në krye të dy vjetëve hyri në universitet të cilin e lë më 1831 për shkak të vdekjes të së atit dhe dyshimeve të autoriteteve akademike pas një zënke me një profesor.
Kërkoi të hynte në universitetin e Pjetërburg-ut por nuk arriti. Atëhere u shtrëngua të hyntë në shkollën ushtarake për nëntoger. Në krye të dy vjetëve u emërua oficer në një regjiment të husarëvet. Në jetën e tij tani hyri një ambient i ri: jeta mondane. Tre vjet me rradhë kaloi në Pjetërburg me gëzime e dëfrime të çfrenuara e plot zhurmë. Po me gjithë këtë Lermontov-i nuk reshtte së shkruari. Të kësaj perjudhe janë poema Haxhi Abrek, drama ne vargje Maskarada si dhe një varjant i ri i poemës Demoni të cilën kish nisur ta shkruante qysh pesëmbëdhjetë vjeç dhe të cilën e përpunoi shtatë herë. Kjo kryevepër e letërsisë botërore u publikua një vit pas vdekjes së poetit,më 1842.
Kjo jetë mondane tërë zhurmë e dëfrime iu ndërpre nga një lajm i papritur: nga fundi i janarit të vitit 1837 u vra në duel Aleksandër Pushkini, i konsideruar si babai i romanticizmit rus dhe një nga frymëzuesit e Lermontov-it. I tronditur nga ky lajm, Lermontov-i shkruajti poemen Vdekja e Poetit. Vargjet e këtij "ligjërimi" kopjoheshin e shpërndaheshin fshehur dorë më dorë në tërë Pjetërburg-un; fryma e saj e egërsoi popullin, sidomos rininë. Emri i Lermontov-it,që nuk njihej si poet gjer atëherë, tani mori dhenë. Një shkrimtar i asaj kohe shkruan: "Vdekja e Pushkin-it i lajmëroi Rusisë lindjen e një poeti të ri, të Lermontov-it.
Rrethet mondane të oborrit dhe fisnikët rusë u zemëruan së tepërmi për të katërmbëdhjetë vargjet e fundit të poemes. Me titullin "Kushtrim për kryengritje" poemën ia dërguan Carit. Më 20 shkurt Lermontovin e arrestuan dhe një javë më vonë e dërguan për dënim në një regjiment në Kaukaz, ku bëhej luftë kundra malësorëve. Kaukazi me bukuritë natyrore dhe me zakonet e ndryshme dhe origjinale u bë për poetin një fymëzim i madh. Këtu ai u njoh me kritikun e madh, Bjelinski, dhe me poetin dekabrist, Odojevski me të cili lidhi një miqësi të ngushtë.
Nga që gjyshja e tij u interesua shumë, poetin e trasferuan që nga Kaukazi në Novgorod e që andej më 1838-ën iu fal çdo dënim dhe u kthye ne regjimentin e tij të parë,në Pjtërburg. Aty filluan përsëri paradat, ballot, audiencat e personave me pozitë. Shoqëria e priti në gjirin e saj si një poet me famë dhe disident. Por Lermontov-i nuk kënaqej aspak. Gëzimin e vetëm e ndjente duke shkruajtur, ose duke kuvenduar në rrethet letrare me shkrimtarë të shquar të kohës si Zhukovskin, Gogolin, etj.
Për vitin e ri 1840 u bë një ballo e madhe në "Shtëpinë e fisnikëve". Nga kjo ballo u frymëzua për poezinë "Një janar" e cila kritikon aristokracinë, kështu që ia nisën përsëri ta urrenin poetin. Në shkurt të vitit 1840 Lermontov-i bëri një dyluftim me të birin e ambasodrit francez për shkaqe që nuk dihen. Shpëtoi nga vdekja por menjëherë e arrestuan. Për internim e dërguan përsëri në Kaukaz, ku mori pjesë në luftrat që zhvilloheshin atje dhe tregoi trimëri të madhe, sidomos te lumi Valerik ( për këtë betejë Lermontov-i shkruajti poemën Valerik më 1841 dërguar ne formë letrash të dashurës së tij, Lupohinës).
Në janar të vitit 1841 vajti në Pjetërburg për të dhënë dorëheqjen, por s'u pranua. Tre muaj kaloj me leje në kryeqytet - tre muajt më të bukut e më të lumtur të jetës së tij të shkurtër. Duke u kthyer për në Kaukaz kaloi në Pjatigorsk. Lermontovi-i, megjithatë, e dinte që urrehej nga pushteti, edhe pse ai fliste hapur dhe e tregonte me vendosmëri urrejtjen kundër shoqërisë së lartë dhe kundër Carit. Në Pjatigorsk takohet me shokun e tij të shkollës, majorin Nikollaj Matinov. Dhe qe po Martinov-i, për shkak të një fyerje të poetit ndaj tij, që e ftoi në duel dhe e vrau më 27 korrik, në malin Mashuk, në të njëjtin vend ku qe përshkruar dueli i librit Një Hero i Kohës sonë.
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Poema
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- 1829-30 : Mciri
- 1830 : Pranverë
- 1832 : Ismail Bej
- 1830 : Borodino, përpunuar 1837
- 1837 : Vdekja e Poetit
- 1837 : Kënga e Tregtarit Kallashnikov
- 1838 : E shoqja e arkëtarit të Tambovit
- 1839 : Sashka
- 1840 : Rishtari
- 1841 : Demoni
- 1841 : Valerik
Teatër
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- 1829 : Ciganët, skicë
- 1830 : Spanjollët
- 1830 : Nerëzit dhe pasionet
- 1831 : Një njeri çuditshëm
- 1835 : Maskarada, dramë në vargje
- 1836 : Dy Vëllezër
Romane dhe prozë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- 1834 : Panorama e Moskës, skicë
- 1834 : Vadim, i papërfunduar
- 1836 : Unë dua t'ju tregoj, novelë
- 1836 : Princesha Ligovskaja, roman i papërfunduar
- 1837 : Ashik Kerib, përrallë turke
- 1841 : Një hero i kohës sonë, roman
- 1841 : Shtos
Bibliografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Lirika & poema Autorët Mihail J. Lermontov Liri Gëzhilli ISBN 99927-43-21-2
- Michail Lermontov,Liriche e poemi Trad. Tommaso Landolfi ISBN 978-88-06-53926-9