[go: up one dir, main page]

Jump to content

Tejlidhje

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Në fushën e kompjuterave, një tejlidhje (ose lidhje) është një referencë drejt të dhënash që lexuesi mund ta ndjekë drejtpërsëdrejti, ose që ndiqet automatikisht.[1] Një tejlidhje shpie te një dokument si i tërë ose te një element i dhënë brenda një dokumenti. Hiperteksti është tekst me tejlidhje. Një sistem software-i për krijimin dhe parjen e hiperteksteve është sistem hipertekstesh, dhe të krijosh një tejlidhje do të thotë të tejlidhësh (ose thjesht të lidhësh) diçka. Kur një përdorues ndjek tejlidhje, thuhet se po lundron në ose po shfleton hipertekst.

Një tejlidhje ka një spirancë, çka është vendi brenda një dokumenti prej nga mund të ndiqet tejlidhja; dokumenti që përmban tejlidhjen njihet si dokumenti burim i saj. Për shembull, në një vepër referencash online, fjala vjen Wikipedia, mjaft fjalë dhe terma në tekst kanë tejlidhje për te përkufizimet e këtyre termave. Tejlidhjet përdoren shpesh për të sendërtuar mekanizma reference, të tilla si tabela lënde, poshtëshënime, bibliografi, tregues, letra dhe fjalorë.

Në disa hipertekste, tejlidhjet mund të jenë dykahëshe: mund të ndiqen në të dy kahet, pra të dy skajet janë edhe spirancë, edhe objektiv. Ka edhe ndërthurje më të ndërlikuara, të tilla si lidhjen nga-shumë-në-shumë.

Efekti i ndjekjes së një tejlidhje mund të ndryshojë në varësi të sistemit të përdorur për hipertekstin dhe ndonjëherë mund të varet edhe nga vetë lidhja; për shembull, në World Wide Web, shumica e tejlidhjeve bëjnë që dokumenti i synuar të zëvendësojë dokumentin që po shihej, por disa të tjerë janë rregulluar që të shkaktojnë hapjen e dokumentit të synuar në një dritare të re. Një tjetër mundësi është ndërpërfshirja, tek e cila objekti i lidhur është një copë dokumenti që zëvendëson spirancën e lidhjes brenda dokumentit burim. Tejlidhjet nuk i ndjek vetëm personi që po shfleton dokumentin; ato mund të ndiqen vetvetiu nga programe. Një program që kalon nëpër hiperteks, duke ndjekur secilën tejlidhje dhe duke grumbulluar krejt dokumentet e gjetur njihet edhe si merimangë Web ose crawler.

Një lidhje brendazi e shfaq lëndën e largët pa pasur nevojë për trupëzim të lëndës. Lënda e largët mund të shihet qoftë kur përdoruesi e përzgjedh lidhjen, qoftë kur nuk e bën këtë. Për shembull, figura e mësipërme është një dokument që mund të shihet ndarazi, por në këtë faqe është i përfshirë me një lidhje brendazi.

Një lidhje brendazi mund të shfaqë një version të modifikuar të lëndës; për shembull, në vend të një figure, të shfaqë një miniaturë, një paraparje të saj me cilësi të ulët, një copë të qethur, ose një copë të zmadhuar. Lënda e plotë, në raste të tilla, mund të shihet sapo të dëshironi, si në rastin e programeve për botime shtypi – p.sh. me një lidhje të jashtme. Kjo lejon përdorim kartelash të një madhësie më të vogël dhe pasqyrim më të shpejtë të ndryshimeve, në rastet kur nuk ka kush nevojë për lëndën e plotë, siç është rasti kur risistemohet skema e një faqe.

Një tejlidhje spirancë është një lidhje e ngulitur te një pjesë e dokumentit — përgjithësisht tekst, por jo domosdoshmërisht. Për shembull, mund të jetë një zonë e ndjeshme te një figurë (hartë figure në HTML), një pjesë e paracaktuar, shpesh e parregullt, e figurës. Një mënyrë për përcaktimin e saj është përmes një bashkësie koordinatash që përcaktojnë kufijtë e saj. Për shembull, një hartë politike e Afrikës mund të përmbajë tejlidhje për secilin vend aty, për të ofruar më tepër të dhëna mbi vendet. Një ndërfaqe e padukshme zonash të ndjeshme, e veçantë, lejon këmbim mbështjellësesh ose etiketash brenda zonave të ndjeshme të lidhura, pa u dashur të trupëzohen te elementet e ndryshëm të mbështjellëses lidhje që ripërsëriten.

Tejlidhjet në teknologji të ndryshme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tejlidhjet në HTML

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tim Berners-Lee e kuptoi mundësitë e përdorimit të tejlidhjeve për të lidhur çfarëdo informacioni me çfarëdo informacion tjetër nëpër Internet. Kështu që tejlidhjet qenë thelbësore në krijimin e World Wide Web-it. Faqet Web shkruhen sipas sistemit të shënimeve për hipertekst HTML.

Në HTML lidhjet krijohen duke përdorur elementet <a> (anchor). Për të parë HTML-në e përdorur gjatë krijimit të një faqeje, shumica e shfletuesve ofrojnë mundësinë e "parjes së burimit të faqes". Brenda te kodi HTML do të gjendet një shprehje e krijuar me simbolin e formës "<a" dhe referencën "href="URL">" që shënon fillimin e spirancës, pasuar nga teksti i theksuar dhe simboli "</a>" symbol, që tregon fundin e spirancës. Elementi <a> mund të përdoret edhe për të treguar objektivin e një lidhjeje.

XLink: tejlidhjet në XML

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


Rekomandimet W3C të quajtura XLink përshkruajnë tejlidhje që ofrojnë shkallë shumë më të lartë funksionimi se sa ato të ofruara nën HTML. Këto lidhje të zgjeruara mund të jenë shumëkahëshe, mund të jenë për lidhje nga diku për diku jashtë, ose brenda, ose mes dokumentesh XML. Me to përshkruhen edhe lidhjet e thjeshta, që janë njëkahëshe e për këtë shkak nuk ofrojnë më tepër funksione sesa tejlidhjet në HTML.

Tejlidhjet në të tjera teknologji dokumentesh

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tejlidhjet kanë gjetur përdorim në protokollin Gopher, përpunuesa tekstesh, dokumente PDF, sisteme ndihme, të tillë si Windows Help, dokumente të prodhuar nga fjalëpërpunues, fletëllogaritje, HyperCard-in e Apple-it dhe shumë vende të tjera.

Tejlidhjet në botë virtuale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tejlidhje gjen të sendërtuara në një numër rrjetesh 3D bote virtuale, përfshi ato që përdorin platformat OpenSimulator[2] dhe Open Cobalt[3].

Tejlidhjet në wiki

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Edhe pse wiki-t mund të përdorin tejlidhje të llojit HML, gjuhë më të lehta shënimi për wiki (shënime wiki) ofrojnë sintaksë të thjeshtuar, të quajtura wiki-lidhje për lidhje faqesh në mjedise wiki.

Sintaksa dhe pamja e wiki-lidhjeve mund të ndryshojë. Software-i origjinal për wiki, i Ward Cunningham-it, WikiWikiWeb, për këtë qëllim përdorte CamelCase. CamelCase-i përdorej gjithashtu në versionet e hershme të Wikipedia-s dhe ende përdoret në disa wiki, për shembull TiddlyWiki, Trac dhe PMWiki. Një mënyrë e zakonshme shënimi përdor kllapa dyshe katrore përreth termit për të cilin duhet krijuar një lidhje wiki, për shembull, copa vijuese: [[wiki software]] — do të shndërrohet nga software-i wiki në diçka që duket: wiki software.

Zakonisht tejlidhjet e përdorura në wiki ndahen si më poshtë:

  • Wiki-lidhje të brendshme ose lidhje intrawiki që shpien te faqe brenda të njëjtit site web wiki.
  • Lidhje interwiki që janë tejlidhje shënimi të thjeshtuar që shpien te faqe wiki-sh të tjera.
  • Lidhje të jashtme që shpien te faqe të tjera web.

Nëse një wiki-lidhje e brendshme shpie te një faqe që nuk ekziston, zakonisht tregohet ndryshe nga pjesa tjetër e dokumentit. Për shembull, në Wikipedia zakonisht tregohen nën ngjyrë të kuqe, si kjo, ndaj edhe quhen lidhje të kuqe në Wikipedia.[4] Një tjetër mënyrë është shfaqja, në krah të termit me wiki-lidhje, e një pikëpyetje në ngjyrë tjetër dhe e klikueshme, si kjo këtu?.

Si funksionojnë tejlidhjet në HTML

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një lidhje nga një përkatësi në një tjetër konsiderohet se është ikëse nga spiranca burim dhe ardhëse te objektivi i synuar prej saj.

Spirancat më të rëndomta vendmbërritje janë URL-të e përdorura në World Wide Web. Një e tillë mund të shpjerë te një dokument, p.sh. një faqe web, ose ndonjë burim tjetër, ose te një pozicion brenda një faqeje web. Kjo e fundit arrihet përmes një elementi HTML me atribut "name" ose "id" në atë pozicion të dokumentit HTML. URL-ja e pozicionit është URL-ja e faqes web me një identifikues fragmenti — "#attribute name" — ngjitur në të.

Kur krijohen lidhje nga një faqe HTML në dokumente PDF, "attribute name" mund të zëvendësohet me sintaksë që referon numrin e një faqeje ose tjetër element të PDF-së, për shembull, page=[pageNo] – "#page=386".

Sjellja e lidhjeve në shfletuesa web

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zakonisht një shfletues web i shfaq tejlidhjet në një mënyrë për t'i bërë të dallueshme nga pjesa tjetër e dokumentit, p.sh. me një ngjyrë tjetër, ose shkronjë tjetër, ose stil tjetër për shkronjat. Sjellja dhe stili i lidhjeve mund të përcaktohet duke përdorur stilet (CSS) Cascading Style Sheets. Brenda një ndërfaqeje grafike përdoruesi, pamja e shenjuesi mund të ndryshojë në një figurë dore, për të treguar një lidhje. Në shumicën e shfletuesve grafikë web, lidhjet shfaqen me tekst të nënvizuar dhe tradicionalisht ngjyrë blu (por ngjyra mund të zgjidhet sipas dëshirës), sa pa u vizituar dhe krijuar në fshehtinë një kopje të saj, por më pas me tekst të nënvizuar dhe me ngjyrë të purpurt. Kur përdoruesi e përdor lidhjen (p.sh. duke klikuar mbi të me miun) shfletuesi do të shfaqë objektin ku shpie lidhja. Nëse objekti nuk është kartelë HTML, në varësi të llojit të kartelës, shfletuesit dhe shtojcave të tij, për hapjen e kartelës mund të aktivizohet një tjetër program. Kodi HTML përmban disa ose krejt pesë karakteristikat e një lidhje: *vendmbërritje lidhjeje ("href" që shpie te një URL) *etiketë lidhjeje *titull lidhjeje *objektiv lidhjeje *klasë lidhjeje ose id lidhjeje. Ai përdor elementin HTML "a" me atributin "href" (HREF është një shkurtim i termit "Hypertext REFerence"[5]) dhe, sipas dëshirës, edhe atributet "title", "target", dhe "class" ose "id": :<a href="URL" title="link title" target="link target" class="link class">link label</a> Shembull: Që të fusni një lidhje te një faqe, te një postim blogu, ose te një koment, përdorni këtë: <a href="http://example.com">Shembull</a> Pas botimit, vargu i ndërlikuar për lidhjen reduktohet në diçka të shfaqshme nga cilido shfletues Web i zakonshëm, si vijon: Shembull Kjo ndihmon që teksti ose dokumenti të jetë i lexueshëm qartë dhe lehtë. Kur shenjuesi kalon mbi një lidhje, në varësi të shfletuesit dhe/ose ndërfaqen grafike të përdoruesit, mund të shfaqet edhe ndoca tekst informues rreth lidhjes, duke u shfaqur si flluskë, jo në një dritare të rregullt, por si një kutizë speciale që shfaqet kur kursori i kalon përsipër zonës ku ajo ndodhet, dhe që zhduket sapo shenjuesi hiqet prej andej (ndonjëherë zhduket, sido që të jetë, pas disa sekondash, dhe rishfaqet kur shenjuesi rikthehet te zona). Mozilla Firefox, IE, Opera, dhe mjaft shfletues të tjerë web i shfaqin URL-të. Përveç kësaj, URL-ja zakonisht tregohet te shtylla e gjendjeve. Zakonisht, një lidhje do të hapet te korniza ose dritarja e çastit, por site-et që përdorin për shfletim korniza dhe dritare të shumëfishta mund të shtojnë një atribut special "target" që të specifikohet se ku do të hapet një lidhje. Nëse nuk ekziston dritare me atë emër, do të krijohet një dritare e re me ID, e cila mund të përdoret më pas, gjatë sesionit të shfletimit, si referencë për dritaren. Krijimi i dritareve të reja është ndoshta përdorimi më i rëndomtë i atributit "target". Që të parandalohet ripërdorimi pa dashje i një dritareje, ofrohen emra dritaresh speciale "_blank" dhe "_new", dhe përdorimi i tyre do të shkaktojë përherë krijimin e një dritareje të re. Kjo lloj lidhjeje ndeshet veçanërisht në rastet kur një site web i madh përmban lidhje te një faqe e jashtme. Qëllimi në këtë rast është të sigurohet që personi që po shfleton të kuptojë se site-i nuk merr përsipër asgjë lidhur me lëndën e site-it ku shpie lidhja. Megjithatë, ndonjëherë atributi përdoret më tepër se sa do të duhej dhe mund të sjellë hapjen e shumë dritareve, edhe kur shfletohet një site i vetëm. Një tjetër emër special për faqet është "_top", që shkakton pastrimin e cilësdo kornize në dritaren e çasti, për t'i lënë rrugë vazhdimit të shfletimit me lëndën të shfaqur sa krejt dritarja.

Historiku i tejlidhjeve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Douglas Engelbart dhe ekipi i tij në SRI, 1969

Termi "tejlidhje" u sajua më 1965 (ose mundet edhe më 1964) nga Ted Nelson në fillimet e projektit Project Xanadu. Nelsoni qe frymëzuar nga "Siç Mund Ta Marrim Me Mend", një sprovë e njohur e Vannevar Bush-it. Në sprovën, Bush-i përshkruante një makinë të bazuar në mikrofilma (Memex-i) përmes të cilës dikush mund të lidhte çfarëdo çifti faqesh me informacion në një "varg" informacionesh që kishin lidhje njëri me tjetrin, dhe mandej të hidhej para ose prapa nëpër faqet e një vargu, njësoj sikur këto të ishin në një bobinë të vetme mikrofilmi.

Në një varg librash dhe artikujsh të botuar nga 1964 deri më 1980, Nelsoni e kaloi konceptin për ndër-referenca të automatizuara të Bushit në kontekstin e kompjuterave, e bëri të zbatueshëm për vargje të dhënë teksti, në vend se për faqe të plota, e përgjithësoi nga një makinë vendore mbi tryezë në një rrjet teorik mbarëbotëror kompjuterash, dhe u përpoq për krijimin e një rrjeti të tillë. Ndërkohë, duke punuar në mënyrë të pavarur, një ekip i udhëhequr nga Douglas Engelbart (me Jeff Rulifson-in si programuesin kryesor) qe i pari që sendërtoi konceptin e tejlidhjes për lëvizje brenda një dokumenti të vetëm (1966), dhe pak më vonë për lidhje mes paragrafësh nga dokumente të ndryshëm (1968), përmes NLS-së.

Më 1987 u hodh në qarkullim një program bazash të dhënash HyperCard për Apple Macintosh, i cili lejonte tejlidhjen me llojeve të ndryshme të faqeve brenda një dokumenti.

Çështje ligjore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


Edhe pse përdorimi i i tejlidhjeve nëpër faqe web është pjesë e pandarë, e qenësishme, e web-it, disa site-e web e kundërshtojnë lidhjen e tyre nga të tjerë site-e web; disa edhe pretendojnë që përdorimi i lidhjeve për ta nuk lejohet pa marrë leje.

Veçanërisht i nxehtë është debati mbi lidhjet e thella, të cilat nuk shpien te faqja hyrëse e një site-i ose te cilado pikë hyrëse e paramenduar nga të zotët e site-it, por te lëndë gjetiu, duke e lejuar kështu përdoruesin të anashkalojë rrjedhën e vizitimit të site-it të konceptuar nga krijuesit e tij, si dhe mbi lidhjet brendazi, të cilat e përdorin lëndën në fjalë te faqet e site-it që po lidhet, duke e bërë të duket si pjesë e lëndës së site-it që po lidhet, veç në u shtoftë një shpjegim shprehimisht.

Në disa juridiksione, ka qenë pranuar ose pranohet që tejlidhjet nuk janë thjesht referencë ose citim, por janë mekanizma për kopjimin e faqeve web. Në Hollandë, Karin Spaink qe dënuar fillimisht për këtë lloj shkeljesh të të drejtave të kopjimit, edhe pse dënimi u shfuqizua më 2003. Gjykatat që mbrojnë këtë pikëpamje e shohin thjesht botimin e një tejlidhjeje që shpie te material i paligjshëm si një akt të paligjshëm në vetvete, pavarësisht nëse është a jo i paligjshëm referimi i materiale të paligjshme. Më 2004, Josephine Ho u shpall e pafajshme përballë akuzës së 'tejlidhjeve që korruptojnë vlerat tradicionale' në Taivan.[6]

Më 2000 British Telecom-i paditi Prodigy-në, me pretendimin se Prodigy-ja kish shkelur patentën e saj (Stampa:US patent) mbi tejlidhje web. Pas shqyrtimit, një gjykatë vendosi në favor të Prodigy-së, duke shpallur se patenta e British Telecom-it nuk i mbulonte tejlidhjet.[7]

Në jurisprudencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bëhet dallimi mes aktit të thjeshtë të lidhjes për te site-i web i dikujt, dhe lidhjes për te lëndë që është e paligjshme ose që cënon të drejta kopjimi.[8] Disa gjykata janë shprehur se thjesht lidhja për te site-i web i dikujt nuk përbën cënim të të drejtave të kopjimit apo të shenjave tregtare, pavarësisht se sa ky tjetri mund të kundërshtojë.[9][10][11] Lidhja e lëndës së paligjshme apo duke cënuar të drejta mund të jetë e mjaftueshme për ta bërë dikë objekt përgjegjësish ligjore.[12][13][14][15][16] Për një përmbledhje të gjendjes së tanishme të ligjeve mbi të drejtat e kopjimit në ShBA lidhur me tjelidhjet, shihni këtë diskutim.

Shihni gjithashtu

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Merriam-Webster.com, hyperlink
  2. ^ Hypergrid
  3. ^ "Creating, Saving, and Loading Spaces". Arkivuar nga origjinali më 21 dhjetor 2012. Marrë më 25 mars 2012. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Wikipedia: doracaku i pabotuar, nga John Broughton, 2008, ISBN 0-596-51516-2, p. 75
  5. ^ Tim Berners-Lee, Making a Server ("HREF" is for "hypertext reference")
  6. ^ "The prosecution of Taiwan sexuality researcher and activist Josephine Ho" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 8 shkurt 2012. Marrë më 25 mars 2012. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ CNET News.com, Hyperlink patent case fails to click. August 23, 2002.
  8. ^ Cybertelecom:: Legal to Link?[lidhje e vdekur]
  9. ^ Ford Motor Company v. 2600 Enterprises, 177 F.Supp.2d 611 (EDMi December 20, 2001)
  10. ^ American Civil Liberties Union v. Miller, 977 F.Supp. 1228 (ND Ga. 1997)
  11. ^ Ticketmaster Corp. v. Tickets.Com, Inc., No. 99-07654 (CD Calif. March 27, 2000)
  12. ^ Intellectual Reserve v. Utah Lighthouse Ministry, Inc., 75 FSupp2d 1290 (D Utah 1999)
  13. ^ Universal City Studios Inc v Reimerdes, 111 FSupp2d 294 (DCNY 2000)
  14. ^ Comcast of Illinois X LLC v. Hightech Elec. Inc., District Court for the Northern District of Illinois, Decision of July 28, 2004, 03 C 3231
  15. ^ WebTVWire.com, Linking to Infringing Video is probably Illegal in the US. December 10, 2006.
  16. ^ Compare Perfect 10 v. Google, Decision of February 21, 2006, Case No. CV 04-9484 AHM (CD Cal. 2/21/06), CRI 2006, 76–88 No liability for thumbnail links to infringing content

Për lexim të mëtejshëm

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]