Talini
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Talini
Tallinn | |
---|---|
Koordinatat: 59°26′14″N 24°44′43″E / 59.43722°N 24.74528°E | |
Shteti | Estonia |
Qarku | Harju |
Regjistrimi i parë historik | 1219 |
Shfaqja e parë e mundshme në hartë | 1154 |
E drejta e qytezës | 1248 |
Qeveria | |
• Kryetari | Mihhail Kõlvart (Partia qendrore e Estonisë) |
Sipërfaqja | |
• Gjithsej | 159,2 km2 (61,5 sq mi) |
Lartësia mbidetare | 9 m (30 ft) |
Popullsia (2021)[1] | |
• Gjithsej | 438.341 |
• Dendësia | 2.800/km2 (7.100/sq mi) |
Emri i banorëve | Tallinlane (Estonisht) |
Zona kohore | UTC+2 (EET) |
• Verës (DST) | UTC+3 (EEST) |
Kodi ISO 3166 | EE-784 |
PBR[2] | 2019 |
- Gjithsej | 15.3 miliardë euro |
- Per capita | 35,050 euro |
Faqja zyrtare | tallinn |
Talini (Estonisht: Tallinn) është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Estonisë me sipërfaqe prej 159.2 km² dhe popullsi prej 444 085 banorësh.[3] Gjendjet në pjesën veriperëndimore të Estonisë, 80 km më në jug se Helsinki. Qyteti i vjetër i Talinit është një ndër qytetet e vjetra më të ruajtura në Evropë, dhe vizitohet nga më shumë se 1,5 milion turistë çdo vit.
Pak histori
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjurmët e para të vendbanimeve të hershme datojnë rreth 5000 vjet më parë. Në 1050-ën u ndërtua fortesa në Toompea, pika më e lartë e Talinit. Duke qenë një pikë kyçe për tregtinë mes Rusisë dhe Skandinavisë, Talini ra pre e pushtimeve nga kalorësit Teutonikë, Danimarka, dhe Lidhja Hansaetike. Nga 1561-1710, Talini ishte nën pushtetin suedez. Nga 1710-1918, Talini ruajti autonominë ekonomike nën Perandorinë Ruse. Me marrjen e pavarësisë së Estonisë me 24 shkurt 1918, Talini u bë kryeqyteti i Estonisë. Qyteti vuajti gjatë luftimeve të Luftës së Dytë Botërore, ku një pjesë e mirë e tij u bombardua nga avionët sovjetikë, të cilët shkaktuar qindra të vrarë. Gjatë viteve 70 popullsia e Talinit u dyfishua nga ardhja e shumë qytetarëve të Bashkimit Sovjetik, kryesisht nga Rusia, Ukraina etj.
Gjeografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Talini ka një sipërfaqe prej 159.2 km². Talini gjendet në buzë të Gjirit të Finlandës, në veriperëndim të Estonisë. Talini ka dy liqene brenda vijës administative të qytetit, Liqeni Ülemiste (sq.Liqeni i Sipërm) dhe Liqeni Harku, si dhe ishullin Aegna. Talini furnizohet me ujë të pijshëm nga Liqeni Ülemiste i cili ka një sipërfaqe prej 9.6 km². Talini përshkohet nga Lumi Pirita në pjesën veriore të qytetit. Pika më e lartë e qytetit është 64 m mbi nivelin e detit dhe gjendet në pjesën jugore të qytetit, në Nõmme. Nõmme është dhe pjesa më e gjelbëruar e qytetit, me kodra të veshura dendur me pisha, mështekna e panja. Talini ka një numër të madh parqesh, dhe është një ndër kryeqytetet me ajrin më të pastër në Evropë. Parqe për të përmendur janë Kadriorg, ku gjendet dhe kopshti japonez dhe pallati veror i careshës Katerina, kopshti botanik, dhe Muzeumi i hapur estonez. Qyteti ka një mori parqesh më të vegjël të shpërndarë në të gjithë qytetin. Në plazhin publik të Stroomit gjendet Merimets (Pylli i detit), një pyll prej 2 km i gjatë e 1,5 km i gjerë. Bregdeti i Talinit ka një sërë gjiresh, gadishujsh dhe plazhesh me rërë. Talini ka 3 plazhe publike brenda vijës administrative të qytetit.
Ekonomia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Talini përbën zemrën e ekonomisë estoneze, duke kontribuar në më shumë se gjysmën e tatimeve të mbledhura në Estoni, dhe në më shumë se gjysmën e sipërmarrjeve e firmave të regjistruara në Estoni. Sektor që ka marrë hov shumë vitet e fundit është sektori i informatikës, sektor që punëson me mijëra specialistë në informatikë e shkenca kompjuterike, dhe gjithashtu ka dhe pagat më të larta në treg. Duhet të përmendim që Skype ka zyrat qendrore në Talin.
Industria ushqimore, veshmbathje, ndërtimi i pjesëve mekanike e elektronike janë po ashtu sektorë të rëndësishëm të ekonomisë së qytetit. Turizmi gjeneron një pjesë të mirë të të ardhurave në qytet, sidomos për njësinë bashkiake të qytetit të vjetër, ku shumica e klientëve janë turistë të huaj, të cilët kanë bërë që në Talin të hapen me qindra restorante dhe gjithashtu hotelet kryesore të famshëm si Hilton, Meriton, Swiss Hotel, Radisson etj. Zemra e turizmit në Talin është qyteti i vjetër, i cili është ndër qytetet e vjetra mesjetare më të ruajtura në Evropë, me mure rrethues e kulla roje të ngurta, ndërtesën e vjetër të Bashkisë të stilit gotik dhe me barnatoren/farmacinë më të vjetër në Evropë, e hapur në vitin 1422-shin.
Talini ka një port të madh pasagjerësh dhe një port kargo të mallrave. Porti i pasagjerëve operon tre terminale dhe ka dhe marinë (port të vogël të mbrojtur) për jahte gjithashtu. 9,79 milionë pasagjerë kaluan në portin e Talinit në vitin 2015. Talini gjithashtu ka dhe port jahtesh në grykëderdhjen e lumit Pirita, si dhe një port të vogël peshkimi i cili tashmë përdoret vetëm nga një anije që bën linjën qytet-ishulli Aegna.
Arsimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Institucionet e arsimit të lartë në Talin janë:
- Akademia e Arteve e Estonisë
- Akademia Estoneze e Shkencave të Sigurisë
- Akademia Estoneze e Muzikës dhe Teatrit
- Shkolla Estoneze e Biznesit
- Akademia Estoneze e Detarisë
- Instituti i Teologjisë së Kishës Luterane Evangjelike në Estoni
- Instituti Kombëtar i Biofizikës dhe Fizikës Kimike
- Univeristeti i Talinit
- Universiteti Teknologjik i Talinit
Demografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Talini ka një popullsi prej 444 085 banorësh, duke e bërë kështu qytetin më të populluar të Estonisë, ku banon 1/3-ta e popullsisë së Estonisë. Popullsia e Talinit përbëhet nga 53% estonezë, 38% rusë, 4% ukrainas dhe pjesa tjetër finlandezë e të huaj nga vende të ndryshme.
Kultura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Talini ka mbi 60 muzeume e galeri arti. Talini është dhe qyteti ku çdo 5 vjet mbahet Festivali Estonez i Këngëve. Për t'u përmendur janë dhe ditët e qytetit të vjetër, të mbushura me aktivitete që rikrijojnë atmosferën e kohës së Mesjetës.
Transporti
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Transporti publik në Talin është falas për banorët e Talinit. Transporti publik përbëhet nga 5 linja tramvaji (një linjë e re pritet të shtohet në 2015-ën), 64 linja autobusësh, dhe 7 linja autobusësh elektrikë. Në 2017-ën do të përfundojë linja e tramvajit nga aeroporti për në qendër të qytetit.
Gjithashtu Talini është dhe pikëtakimi i të gjitha linjave hekurudhore të Estonisë, dhe trenat mund të përdoren gjithashtu falas brenda kufirit administrative të Talinit. Transporti ujor përbëhet nga një anije që shkon nga Talini në ishullin Aegna, ishull pjesë e territorit administrativ të Talinit. Transporti ujor ndërkombëtar operohet nga Viking Line, Linda Line Express, Tallink dhe Eckerö Line që lidhin Talinin me Helsinkin, Mariehamnin, Stokholmin, dhe Shën Pjetërsburgun. Udhëtimi Talin-Helsinki (83 km) zgjat 2–3 orë në varësi të anijes e motit. Transporti ajror sigurohet nga Aeroporti i Talinit, "Lennart Meri". Aeroporti ndodhet 4 km nga qendra e qytetit, Qyteti gjithashtu lidhet me rrugë biçikletash me fshatrat e qytezat rreth Talinit.
Politika
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kryetari i bashkisë së Talinit është Edgar Savisaar i Partisë së Qendrës.
Galeri
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]-
Shtegu i Shën Katarinës
-
Katedralja e Shën Mërisë
-
Katedralja Aleksandër Nevski ndërtuar në 1894–1900.
-
Kokëzinjtë.
-
Porta Viru Gate, hyrja në Qytetin e Vjetër.
-
Raeapteek, barnatore e hapur në 1422, më e vjetra në Evropë.
-
Kiek in de Kök, kulla mbrojtëse.
-
Mur mbrojtës në Talin.
-
Muret mbrojtës të Talinit
-
"Pikk Hermann" (Toompea)
-
Gërmadhat e manastirit të Piritës
Shiko edhe këtë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Population, 1 January by Year, County, Sex and Age group" (në anglisht). Statistics Estonia. Marrë më 20 tetor 2020.
- ^ "Gross domestic product by county (ESA 2010)" (në anglisht). Statistics Estonia.
- ^ http://www.tallinn.ee/est/Tallinna-elanike-arv
Ky artikull me tematikë në lidhje me gjeografinë e Estonisë është një faqe cung. Ju mund të ndihmoni Wikipedia-n duke e përmirësuar atë. |