Sofia Noti
Sofia Noti | |
---|---|
U lind në | 1925 |
Vdiq | Korrik 1944 |
Kombësia | shqiptare |
Partia politike | Partia Komuniste Shqiptare |
Sofia Noti (1925-1944) ishte një dëshmore shqiptare e Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte partizane dhe infermiere. E kapur rob gjate Operacionit te Qershorit, ajo u var në litar nga nazistët gjermanë në burgun Pavllo Mela, në Selanik, Greqi.
Life
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sofia Noti lindi në 1925 në Erind, Shqipëri. Pasi i vdiq i ati, ajo u fut në jetimore në Tiranë, dhe, më pas, ndoqi studimet për infermiere. Në vitin 1942 u fut në Rininë Komuniste, e, një vit më vonë, në Partinë Komuniste si dhe shkoi partizane në radhët e Brigadës së III-të Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ajo ishte pjesë e Batalionit "Naim Frashëri", ku ishte si partizane, ashtu edhe infermiere.[1] Më 8 qershor 1944, batalioni Naim Frashëri ishte në Panarit. Kishin kaluar fare pak ditë nga Kongresi i Përmetit, i cili zgjodhi qeverinë provizore, çka shkaktoi nazistët të fillonin Operacionin e Qershorit në Shqipëri. Qëllimi i operacionit ishte të zhdukte forcat partizane. Në 8 qershor 1944 batalioni "Naim Frashëri" ku ishte edhe Sofia, filloi luftë me 100 forca balliste, të cilat partizanët i mundën dhe i detyruan të tërhiqeshin. Dy ditë më vonë, më 10 qershor 1944 batalioni i Sofisë përballoi dy autokolona me forca gjermane. Gjatë luftimeve, Mehmet Tahiri, një partizan, u plagos, dhe Sofia po e mjekonte. Në atë moment një ushtar gjerman e qëlloi Sofinë me plumb në kofshën e majtë. Ajo humbi ndjenjat, dhe më vonë u kap robe nga gjermanët, së bashku me disa partizanë të tjerë. Robërit u torturuan dhe iu kërkua të hapnin një varr kolektiv për veten e tyre. Si përgjigje, Sofia filloi të këndonte Internacionalen, dhe, zërit të saj iu bashkuan zërat e robërve të tjerë. Më vonë atë ditë, urdhëri i pushkatimit të robërve u tërhoq, dhe të gjithë robërit u dërguan në burgun e Korçës.[2][3]
Më 23 qershor 1944 Sofia dhe të burgosur të tjerë u dërguan nga Korça për në Follorinë, e pastaj në Selanik, ku u burgosën në kampin e përqëndrimit Pavllo Mela. Sofia akoma ishte e plagosur dhe e pashëruar në kofshë, e çalonte kur ecte. Në korrik të vitit 1944 atë e thirrën që ta varnin në litar në oborrin e burgut. Ajo u përshëndet me gjithë shoqet e qelisë, mes të cilave Fato Berberi. Para se ta varnin, Sofia i tha një ushtari nazist që s'kishte nevojë t'i vinte litarin në qafë se e vinte vetë. Pasi vuri litarin në qafë, thërriti "Rroftë Partia Komuniste Shqiptare!". Mbas këtyre fjalëve, nje ushtar gjerman shtyu stolin nga këmbët e saj dhe ajo vdiq e varur.[4] Sofia Noti ishte një ndër 6 vajzat shqiptare që u varën nga nazifashistët në Luftën e Dytë Botërore, nga 2,563 njerëz që u varën në Shqipëri gjatë asaj lufte.[5]
References
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Malo, Malo (29 nëntor 1978). "Sofia Noti". Pararoja (95 (1, 211)).
- ^ Tarifa, Sevo (2016). Yje Gjaku. fq. 95–105. S
- ^ Tarifa, Sevo (5 maj 2019). "Për 5 majin dhe ata që dinin të ishin trima edhe përpara litarit". Gazeta Dita. Marrë më 11 maj 2021.
- ^ Xhunga, Liri (5 maj 1985). "Bisedë me një ish të internuar". Drita.
- ^ Kotani, Apostol. "Roli historik i gruas shqiptare në luftë për liri". Zeri i Popullit. Arkivuar nga origjinali më 10 maj 2021. Marrë më 10 maj 2021.