Apiani
Apiani (rr. 95 - rr. 165) ishte historian grek i lindur në Aleksandri të Egjiptit rreth fundit të shek. të I dhe jetoi deri në vitet '70 të shek. II të erës sonë. Në Aleksandri ai kishte detyra të larta në administratën e qytetit. Në kohën e Hadrianit atij iu dha qytetaria romake dhe u fut ne rendin e kalorësve. Në këtë kohë ai u vendos në Romë ku ushtronte detyrën e avokatit. Më vonë u emërua prokurator perandorak në Egjipt.
Përmbledhje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Apiani shkroi Historinë e Romës në 24 libra. Veprën e tij ai e shkroi në moshë të thyer, mbase aty nga viti 160 i erës sonë dhe me sa duket nuk arriti ta përfundonte. Prej saj janë ruajtur 11 libra të plotë bashkë me parathënien, dhe 4 të fragmentuar. Ndryshe nga paraardhësit e tij, Apiani e shkroi Historinë e Romës jo sipas kriterit analitik apo kronologjik, sikurse e bëri këtë Polibi, por sipas kriterit territorial apo etnik, duke dhënë kështu një seri monografish të veçanta, brenda të cilave ai i përmbahet parimit kronologjik.
Me interes të madh është libri kushtuar luftërave ilire ("Ilirike"). Në të përmbahen të dhëna për historinë e ilirëve që nga prejardhja deri në pushtimin e tyre të plotë nga Roma, duke përfshirë këtu edhe fushatat e fundit të Augustit e Tiberit për nënshtrimin e ilirëve të Veriut. Por për fat të keq, në krahasim me librat e tjera, ky libër i Apianit është i një niveli të ulët. Vepra nuk ka një strukturë të shëndoshë e të rrjedhshme dhe ngjarjet janë shtjelluar kalimthi e shpesh në mënyrë të pështjelluar, kështu që libri nuk jep historinë e ilirëve pa ndërprerje, por vetëm një përmbledhje fragmentesh, të shpërndara jo vetëm nga ana kronologjike në episode pa lidhje midis tyre, por mbi të gjitha të shpërndara akoma më shumë nga parimi etnologjik i Apianit. Arsyeja është siç e thotë edhe vetë autori, se historinë e ilirëve ai nuk e ka njohur mirë dhe nuk ka mundur të grumbullojë për ta materiale të mjaftueshme (Bell. Civ.I, 145).[1]
Megjithatë në veprën e Apianit gjejmë të dhëna mjaft të vlefshme, siç janë përcaktimi i kufijve gjeografikë të Ilirisë në kuptimin grek e romak, përshkrimet e gjalla të luftërave të ilirëve të Veriut kundër pushtuesve romakë me të cilat ai plotëson Livin përsa ka humbur nga vepra e tij, etj. Të dhëna të tjera të shkëputura, por me interes gjejmë edhe tek libri mbi luftërat samnite, maqedonase, sirike e ato civile.Coruncanius[2]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Appian, The Foreign Wars, Book 10, The Illyirian Wars; Loeb Classical Library, Vol II, Books 8.2-12, Harvard University Press, 1912; ISBN 978-0674990043 https://www.livius.org/sources/content/appian/appian-the-illyrian-wars/
- ^ https://www.perseus.tufts.edu/cgi-bin/ptext?lookup=App.+Ill.+2.7, Appian, The Foreign Wars (ed. Horace White) THE ILLYRIAN WARS, The Illyrian vessels attacked the ambassadors on their voyage and slew Cleemporus, the envoy of Issa, and the Roman Coruncanius; the remainder escaped by flight.