[go: up one dir, main page]

Jump to content

Tregtia ndërkombëtare

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Tregtia ndërkombëtare përfshin këmbimin e mallrave, kapitalit dhe shërbimeve mes shteteve [1] Njohja e rëndësisë dhe përfitimit të këtij aktiviteti daton nga epoka e merkantilizmit (shek. XV deri XIX) dhe mbështetet edhe nga Adam Smith, i njohur si "Babai i ekonomisë moderne", në librin e tij “Pasuria e Kombeve” të botuar në vitin 1776.

Ky aktivitet ndodh mes shteteve me ekonomi të hapur të cilat lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet eksportit dhe importit. Se sa e hapur është ekonomia e një vendi shprehet nëpërmjet raportit të eksport-importit ndaj GDP. Kur raporti është më I madh ekonomia e një vendi është më e hapur. Ekonomi me shkallë të lartë të hapjes kanë zakonisht shtetet e zhvilluara.

Faktorët për tregti ndërkombëtare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tregtia mes shteteve kushtëzohet nga disa faktorë të ndryshme që përfshijnë:

  • Kushtet e ndryshme të prodhimit

Vende të ndryshme kanë burime dhe kushte natyrore te ndryshme dhe teknologji e kapital të ndryshëm, prandaj edhe cilësia, llojllojshmëria dhe sasia e mallrave dhe shërbimeve ndryshon nga vendi në vend.

  • Ndryshimet në shije

Shijet e qytetarëve dallojnë nga shteti në shtet, prandaj shtetet angazhohen në tregti që t’i plotësojnë kërkesat e qytetareve. Për shembull, nëse Kosova prodhon sasi të njëjtë të patateve dhe domateve sikur Shqipëria, por shqiptarët nga Kosova preferojnë më shume patatet dhe shqiptarët nga Shqipëria preferojnë më shume domatet, atëherë kënaqësia e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë do të rritej nëse do të këmbeheshin patate dhe domate në bazë të shijeve të qytetarëve nga shtetet përkatëse.

  • Ekonomizimet e shkallës

Me rritjen e madhësisë se prodhimit në firma të ndryshme kostoja e prodhimit për njësi mund të bie. Në makroekonomi, kjo dukuri njihet si ekonomizimi I shkallës. Por, jo të gjitha vendet mund të kenë këtë dukuri. Vendet të cilat përfitojnë nga ekonomizimi I shkallës në prodhimin e një produkti specializojnë në prodhimin e atij produkt dhe e eksportojnë në vendet ku kostoja për njësi e prodhimit të atij produkti është më e madhe.

Parimi i avantazhit krahasues dhe specializimi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Arsyeja kryesore që shpjegon domosdoshmërinë e tregtisë ndërkombëtare është një nga parimet themelore të ekonomiksit: parimi i avantazhit krahasues. Ky parim, i theksuar në shekullin e 19-të nga ekonomistë të njohur si Rikardo, përfaqëson një ligj sipas të cilit një vend i cili prodhon mallra specifike me një kosto relativisht më të ulët mund të specializoj dhe të eksportoj ato mallra, kurse të importoj mallrat të cilat i prodhon me një kosto relativisht të lartë dhe llogaritet duke përdorur koston oportune të secilit produkt apo shërbim.[2] Nëse supozojmë që Kosova dhe Shqipëria prodhojnë patate dhe domate, dhe Kosova prodhon në një raport 1:2 respektivisht, kurse Shqipëria prodhon në një raport 1:3, atëherë Kosova duhet të specializoj në prodhimin e patateve sepse kostoja oportune për të prodhuar një patate është vetëm 2 domate, kurse kostoja oportune e prodhimit të një patateje në Shqipëri është 3 domate. Rrjedhimisht, Shqipëria mund te specializoj në prodhimin e domateve. Në këtë rast, Kosova mund të eksportoj patate dhe të importoj patate, kurse Shqipëria të eksportoj domate dhe te importoj patate.

  1. ^ "Trade – Define Trade at Dictionary.com". Dictionary.com.
  2. ^ Dixit, Avinash; Norman, Victor (1980). Theory of International Trade: A Dual, General Equilibrium Approach. Cambridge: Cambridge University Press. p. 2.